Forcimi i euros – Disa faktorë po nxisin valutën e përbashkët këtë muaj

Euro arriti nivelin më të lartë në 4 muaj kundër dollarit amerikan këtë javë, ndërkohë që investitorët presin testin e parë legjislativ të Donald Trump mbi heqjen e Obamacare. Këtë javë, valuta e përbashkët ka fituar rreth 1% kundër dollarit, duke e çuar rritjen për muajin në 2.6%, dhe duke kapur një nivel prej 1.0825 dollarë.
Dyshimet mbi heqjen e Obamacare gjatë votimit që do të zhvillohet ditën e sotme, kanë shtuar shqetësimet e investitorëve mbi mundësinë e kalimit të reformave tatimore dhe stimujve fiskalë në Kongres. Këto të fundit kanë qenë kontribuuesit në rritjen e dollarit. Indeksi i dollarit që mat performancën ndaj shportës kryesore të valutave, është tërhequr në 99.56 pikë, duke e çuar rënien për muajin Mars në rreth 2%.
Dobësia e valutës së gjelbërt është vetëm një faktor që po nxit euron në raport me të. Një tjetër arsye është vëmendja e investitorëve te Banka Qendore Europiane, nga ku presin një përfundim të stimujve monetar. Një tjetër mbështetje për euron po japin sondazhet në Francë, që tregojnë se kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen nuk ka gjasa të fitojë.
Të dhënat e Deutsche Bank mbi pozicionet e investitorëve për javën që kaloi, treguan shitje për dollarin dhe blerje për euron. Ndër Arsye të tjera që po ulin dollarin në raport me valutën europiane janë komentet e Rezervës Federale gjatë javës së kaluar se do të rrisë vetëm 2 herë normën bazë të interesit për këtë vit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.