Forcimi i lekut – BSH: Janë rritur prenotimet në hotele para sezonit
Banka e Shqipërisë vlerëson se një nga faktorët e zhvlerësimit të euros ndaj lekut mund të jenë të ardhurat në rritje për sektorin e turizmit. Gjatë prezantimit të raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit, ekspertë të Bankës Qendrore thanë se një pjesë e mirë e hoteleve kanë marrë prenotime për të gjithë sezonin veror, çka mund të ketë sjellë të ardhura të konsiderueshme që para nisjes së sezonit turistik.
Pra, në thelb, efektet e sezonit veror këtë vit mund të kenë nisur disi më herët dhe mund të jenë më të shtrira në kohë. Banka e Shqipërisë ka identifikuar afrimin e sezonit veror si një faktorët që po sjellin ofertë të lartë të euros në tregun valutor, por pa përjashtuar ndikimin e sektorëve të tjerë. Sipas Bankës, në javët e fundit ka pasur një fluks të lartë këmbimesh të euros, çka tregon se shumë agjentë ekonomikë kanë vendosur të konvertojnë euron në monedhë vendase.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 126.89 lekëve, me një rritje të papërfillshme nga e mërkura, por duke qëndruar në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Banka Qendrore llogarit se në fund të tremujorit të parë të vitit, leku u çmua me 5.5% me bazë vjetore ndaj shportës së monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë.
Ndërsa forcimi i lekut rrit fuqinë blerëse në një ekonomi të varur nga importet, siç është ajo shqiptare, kjo tendencë sidoqoftë ka shkaktuar shqetësim në sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu, forcimi i lekut po kufizon presionet e huaja inflacioniste, duke e vështirësuar objektivin e Bankës së Shqipërisë për ta kthyer inflacionin pranë objektivit prej 3%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.