Forcimi i lekut, çmohet këmbimi i valutave të partnerëve tregtarë
Leku shqiptar u forcua sërish kundrejt monedhave të partnerëve tregtarë në tremujorin e fundit të vitit 2016, duke ndikuar negativisht në volumet e tregtisë së jashtme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kursi nominal efektiv i këmbimit, është mbiçmuar rreth 3.2% në tremujorin e katërt përkundrejt një viti më parë. Për të njëjtën periudhë, kursi real efektiv i këmbimit, u mbiçmua me 4.1%.
Kursi nominal efektiv i këmbimit llogaritet kundrejt monedhave të pesë partnerëve tregtarë kryesorë, Itali, Greqi, Gjermani, Turqi dhe Kinë), duke përdorur peshat përkatëse në tregti.
Kursi real efektiv i këmbimit llogaritet në mënyrë të ngjashme si ai nominal, por merr parasysh edhe inflacionin në vend dhe në partnerët tregtarë.
Një rol të rëndësishëm ka zënë dhe mbiçmimi i lekut ndaj lirës turke dhe renminbit kinez, duke transmetuar në mënyrë indirekte zhvlerësimin e tyre të fortë ndaj dollarit amerikan.
Ecuria e kursit dypalësh të lekut sipas monedhave kryesore ka shfaqur pothuajse të njëjtën panoramë. Leku ka vijuar forcimin ndaj euros, duke kulmuar në ditët e fundit të muajit dhjetor në nivelin 134.4, më i ulëti në pesë vitet e fundit.
Kjo ecuri është ndikuar nga një ofertë e lartë për euron e krijuar nga flukset tregtare, nga prurjet e emigrantëve për festat e fundvitit dhe nga projektet e mëdha të investimeve të huaja. Nivelet e ulëta të kursit të këmbimit nxitën një kërkesë të shtuar për euro, e cila u akomodua nga oferta e lartë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.