Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri – Zhvillohet takimi i Parë i Komitetit Drejtues të programit SACP
Programi Suedezo-Shqiptar për Policimin në Komunitet vazhdon mbështetjen ndaj Policisë së Shteti. Në këtë kuadër, u zhvillua sot takimi i Parë i Komiteti Drejtues të Programit SACP.
I pranishëm në këtë takim ishin drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Shefja për bashkëpunimin për zhvillim nga Ambasada e Suedisë në Tiranë, Birgitta Johanson dhe zëvendësministrja e Minsitrisë së Brendshme Romina Kuko si dhe përfaqësues të Lartë të institucioneve përkatëse.
Duke falënderuar Ambasadën dhe Qeverinë Suedeze për mbështetjen e dhënë përmes këtij programi, ai tha se Policia e Shtetit do të angazhohet maksimalisht për implementimin e tij.
Gjatë takimit, Veliaj evidentoi edhe tre shtyllat bazë të ndërhyrjes së programit në arritjen e suksesit. Në shtyllën e parë sipas tij do të synohet asistimi për identifikimin e një modeli shqiptar të policimit në komunitet, por duke u mëbështetur nga elementë të vendeve të tjera.
Më tej sipas tij do të bëhet një vlerësim i strategjisë ekzistuese të Policimit në Komunitet dhe hartimi i një dokumenti të ri strategjik për katër vitet e ardhshme. Po ashtu, ai tha se do të krijohen dhe do të vihen në funksion edhe Këshillat Vendorë për Siguri Publike.
Ndërkohë, në shtyllën e tretë prioritet do ti jepet parandalimit të dhunës në familje. Po ashtu, sipas Veliut një rëndësi e veçantë do t’i jepet edhe rrjeteve sociale si dhe përdorimit të skemave të granteve.
“Vëmendje do t’i kushtojmë edhe përdorimit të rrjeteve sociale për t’u përshtatur me trendet e reja të komunikimit. Rivitalizimi i “policit virtual” është një projekt i rëndësishëm për ne.
Gjithashtu do të përdorim skemën e granteve për të rritur bashkëveprimit me komunitetin vendor dhe për të nxitur partneritetet me organizatën e policisë. Ashtu si edhe në të shkuarën, marrim përsipër të angazhohemi totalisht për të siguruar mirëfunksionimin e projekteve dhe zhvillimin e aktiviteteve”.
Ndërkohë, Kuko shprehu mbështetjen e Ministrisë së Brendshme për të zgjeruar bashkëpunimin në ide.
Shefja për bashkëpunimin për zhvillim nga Ambasada e Suedisë Johanson u shpreh optimiste mbi pritshmëritë e rezultateve të këtij programi, sipas të cilës projekti pilot mund të aplikohet në vende të ndryshme të Shqipërisë.
“Agjencia “Swedish International Development Cooperation” është e fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve për të rritur besimin edhe për t’i treguar komunitetit fytyrën e re të policimit në komunitet”, u shpreh ajo.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.