Forcohen lidhjet BE-Indi – Krijohet një këshill i tregtisë dhe teknologjisë për të rritur bashkëpunimin!

Bashkimi Europian dhe India ranë dakord të krijojnë një këshill të tregtisë dhe teknologjisë për të rritur bashkëpunimin, ndërsa kreu i bllokut zhvilloi bisedime me zyrtarë në Nju Delhi.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen po zhvillon një vizitë dyditore në kryeqytetin e Indisë, pjesë e përpjekjeve perëndimore për të inkurajuar Nju Delhin të reduktojë lidhjet me Rusinë, furnizuesin e saj kryesor të armëve, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska. India është përmbajtur nga dënimi i qartë i pushtimit të Rusisë, ndërsa ka bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të dhunës.
Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend tjetër që ka një marrëveshje teknike me BE-në të ngjashme me atë të nënshkruar të hënën me Indinë.
Von der Leyen identifikoi bashkëpunimin për sigurinë, ndryshimet klimatike dhe tregtinë si fushat kryesore. “Të dyja palët ranë dakord se ndryshimet e shpejta në mjedisin gjeopolitik theksojnë nevojën për një angazhim të përbashkët strategjik të thelluar”, thuhet në një deklaratë të përbashkët BE-Indi.
Vizita e Von der Leyen vjen disa ditë pasi kryeministri britanik Boris u takua me homologun e tij indian, Narendra Modi, dhe ra dakord të rrisë bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes dhe biznesit. Johnson u parapri nga zyrtarë amerikanë dhe ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Kinës.
Shefi i BE-së pritej të ofronte rritjen e shitjeve të pajisjeve ushtarake në Indi dhe rinisjen e bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë, tha një zyrtar i lartë i BE-së përpara fillimit të bisedimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.