Forcohet mbrojta e pronësisë industrial – Marrëveshje për markat tregtare dhe dizenjot
Markat tregtare “Made in Albania” do të mbrohen brenda vendit dhe përtej kufirit, duke mos lejuar mbivendosjen e tyre apo përdorimin nga subjekte të tjera.
Këtë qëllim ka projektligji i depozituar në Kuvend “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Vjenës “Për klasifikimin ndërkombëtar të elementeve figurative të markave tregtare”.
Përmes kësaj marrëveshjeje, krijohet lehtësimi në kërkimet për markën tregtare, si dhe shmangien e riklasifikimit të markave kur shkëmbehen dokumentet në nivel ndërkombëtar me shtetet anëtare që janë palë në Konventën e Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale.
Kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale do të këtë mundësi kërkimi në bazën e të dhënave, jo vetëm mbi elementet “fjalë” të markave, por edhe mbi “elementet figurative” të tyre.
Në këtë mënyrë do të shmanget mbivendosja e markave të njëjta apo të ngjashme në regjistrin e kësaj drejtorie. Po ashtu, ky projektligj do të sjellë edhe lehtësimi i procedurave të aplikantëve për plotësimin e dokumentacionit, dhe për pasojë edhe shtimin e numrit të aplikimeve për regjistrimin e markave tregtare dhe të shërbimit nga subjekte shqiptare dhe të huaja.
Aktualisht, në marrëveshjen e Vjenës kanë aderuar 32 vende me të cilat krijohet mundësia e shkëmbimit të informacionit.
Po ashtu, një tjetër projektligj që pritet të diskutohet në Komisione Parlamentare, ka të bëjë me aderimit e Shqipërisë në marrëveshjen e Lokarnos, për krijimin e lehtësimit në kërkimet për klasifikimin e dizenjove industriale, shmangien e riklasifikimit të dizenjove kur shkëmbehen dokumente në nivel ndërkombëtar dhe përcaktimin e procedurave për krijimin, ndryshimin dhe amendimin e mëtejshëm të klasifikimit ndërkombëtar për dizenjot industriale.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.