Formalizimi i ujit të pijshëm – Gjiknuri: Brenda 2018-ës, të gjithë më matës, fluks kërkesash

Brenda vitit 2018 çdo abonent do të pajiset me matës për ujin e pijshëm, duke synuar formalizimin e të gjithë sektorit”. Ky është një prej objektivëve të reformës së ujit, i bërë publik nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një tryeze me donatorët, ku ndër të tjera u theksua se pas shpalljes së fazës së parë të aksionin ka një rritje të kërkesave për matësa.
“Objektivi kryesor është që brenda vitit 2018, çdo konsumator të jetë i pajisur me një kontratë dhe matës, të paguajë rregullisht detyrimet dhe të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e ujit të pijshëm. Ka një sensibilizim të rritur, ka filluar një fluks të formalizimeve, qoftë edhe nga fakti që qytetarët e kanë mësuar që qeveria po e merr seriozisht këtë reformë, që fatkeqësisht nuk është bërë shumë kohë më parë. Gjej rastin këtu t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve të bëjnë vetëdeklarimin e lidhjeve të paligjshme, pra formalizimin në sistem duke mos pasur penalitete”, tha Gjiknuri.
Reforma e ujit synon që deri në vitin 2020 të ketë një mbulim të popullatës në masën 92% në qytet dhe 40% në zonat rurale. Ndërkohë që, sipas strategjisë që pritet të hartohet brenda këtij viti, nuk do të ketë subvencione nga ana e qeverisë për ato bashki që nuk plotësojnë kriteret që do të parashikohen në kontratat e performancës që do të nënshkruhen mes tyre.
“Është nisur tashmë pune për rishikimin e strategjisë së sektorit, e cila përfundon brenda këtij viti. Brenda vitit do të nënshkruajnë kontratat e performancës, të cilat do të negociohen rast pas rasti me secilën bashki. Subvencioni i shpërndarë deri tani në fokus mbulimin e diferencës së kostove të shoqërisë, do të orientohet drejt shoqërive që do të performojnë dhe arrijnë treguesit e negociuar. Nuk do të ketë subvencionime shtetërore për shoqëritë që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura në këto kontrata”, u shpreh Ministri.
Gjatë fjalës së tyre donatorët mbështetën nisëm për fomalizimin e sektorit të ujit të pijshëm, ndërsa u ra dakord që qeveria të bëjë një analizë për çfarë aspektesh ka nevojë për asistencën në kuadër të reformës dhe më pas të përcaktohet se çfarë do të mbulojë secili donator.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.