Format e akomodimit kur udhëtojmë

Kur udhëtoni drejt një destinacioni, akomodimi është shumë i rëndësishëm. Sigurisht ka lloje të ndryshme akomodimesh në varësi të çmimit që ofroni. Nëse jeni nisur drejt një udhëtimi për tu relaksuar e dëshironi të jeni sa më komod opsioni më i përshtatshëm janë hotelet, të cilat posedojnë yje në varësi të facilitetve që dëshironi. Po nëse jeni të dashuruar pas udhëtimeve e nuk mund ti evitoni pavarësisht kushteve financiare këtu do të gjeni disa lloje akomodimesh duke filluar nga më të shtrenjtat e komodet e deri te ato më të lirat apo pa asnjë lloj pagese.
- Hotelet në varësi të yjeve
Hotelet janë gjithmonë një zgjedhje e mirë, pasi jo vetëm ju ofrohen kushtet që dëshironi por jeni komod gjatë gjithë kohës. Nëse keni shkuar në një udhëtim thjesht për tu relaksuar akomodimi në hotel është tepër i rëndësishëm dhe do të këshillohej të zgjidhnit hotele me më shumë se tre yje.
- Motelet
Motelet janë një tjetër formë akomodimi, por në ndryshim nga hotelet kanë një tjetër vendodhje. Nëse shumica e hoteleve ndodhen në zemër të qytetit, motelet ndodhen pikërisht në drejtimin e kundërt. Ato në të shumtën e rasteve ndodhen jashtë qytetit, në autostradë. Janë një formë akomodimi shumë më e lirë nga hotelet. Një nga lehtësirat që motelet kanë për çmimin e ulët që ofrojnë është edhe parkingu që i përkufizon.
- Hostelet
Prenotimi i hosteleve kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Hostelet janë një akomodim i buxhetit të ulët i cili ndahet ndërmjet udhëtarëve. Në hostele udhëtarët mund të prenotojnë vetëm një krevat në një dhomë e mundet të rastis ta ndajë dhomën me dikë tjetër. Në hostele, tualeti është i përbashkët e jeni të detyruar ta ndani atë me të tjerë. Për njerëzit aventurierë dhe me buxhet të ulët hostelet janë në nga format më të mira të akomodimit.
- Bujtinat
Bujtinat janë një mënyrë e mirë akomodimi kur ju shkoni me pushime në mal apo në fshat. Në bujtina shpesh herë janë të përfshira të tre vaktet e ngrënies e konsiderohen relativisht të lira për atë çka ofrojnë. Në bujtinë ka edhe persona të tjerë të cilat kanë prenotuar po njësoj si ju e ngrënia e vakteve, është në orare të ndryshme sipas dëshirës.
- Shkëmbim mikpritjeje
Shkëmbimi i mirëpritjes ose siç njihet ndryshe ndarja e akomodimit nënkupton një rrjet social ku njerëz nga e gjithë bota janë pjesë dhe komunikojnë me njëri tjetrin. Kur dikush kërkon të shkojë në një destinacion të caktuar nxjerr një njoftim e personat që jetojnë në atë destinacion dalin garant për t’ju akomoduar në shtëpinë e tyre. Kjo formë akomodimi është përhapur shumë vitet e fundit dhe është shumë e përdorshme nga të rinjtë. Është nga ato forma ku nuk paguani asnjë monedhë për akomodimin tuaj përveç atyre çka ju lind në zemër ti çoni personit apo familjes që do t’ju akomodojë.
- Kabina
Kabinat janë formë akomodimi për muajt e verës, në vende verore ku zakonisht shkohet për peshkim apo për gjueti. Gjenden pranë pyllit dhe liqenit dhe nuk ofrojnë kushte shumë të mira akomodimi. Por pavarësisht kësaj janë mjaft të përdorshme nga personat e apasionuar pas peshkimit apo gjuetisë.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.