Formimi i qeverisë së re në Maqedoni?! Zaev i dorëzon Ivanov nënshkrimet për mandatin
Zoran Zaev, lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë i dorëzoi Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, me nënshkrimin e 67 deputetëve të partisë së tij, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët.
Dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare, Zaev ia dha Gjorgje Ivanov në vilën presidenciale “Villa Vodno”.
Burime nga kabineti i Presidentit maqedonas thanë më herët se pas parashtrimit të dëshmisë për sigurimin e shumicës, pritet që Ivanov të marrë vendim ditët në vijim.
Zaev, para dorëzimit të nënshkrimeve te presidenti i vendit, deklaroi se pret që Ivanov në kohë sa më të shpejtë t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.