Formimi profesional – Ahmetaj: 35 mijë lekë për çdo anëtar që përfiton ndihmë ekonomike dhe ndjek këtë drejtim
Qeveria do të paguajë 35 mijë lekë të vjetra për çdo anëtar familje që përfiton ndihmë ekonomike dhe që do të trajtohet në kurset e formimit profesional.
Ky është vendimi i fundit i cili është bërë sot publik nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë inaugurimit të shkollës profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Përmes këtij vendimi synohet stimulimi i familjeve në ndihmë ekonomike të cilët orientohen drejt formimit profesional me qëllim punësimin, duke iu bërë të mundur një pagesë në masën e gjysmës së pagesës së papunësisë.
“Gjej rastin të theksoj edhe një iniciativë të kryeministrit Rama, të qeverisë shqiptare, që ka të bëjë me ndihmën që duhet t’i japim ne si sistem arsimor familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Ne sapo kemi kaluar një vendim, i cili do të bëjë të mundur ndihmë gjysmën e pagesës së papunësisë, pra 35 mijë lekë të vjetra, për çdo anëtar familje që përfiton ndihmë ekonomike dhe që do të trajnohet në kurset e formimit profesional. Pra thënë thjesht, çdo i papunë, familja e të cilit përfiton ndihmë ekonomike, do të duhet trajnohet që të bëhet më i punësueshëm, të mësojë më shumë në një kurs profesional, dhe aty qeveria do ta paguajë atë anëtar të kësaj familje në nevojë, që ai ose ajo të mësojë dhe të bëhet më i punësueshëm” – tha Ahmetaj.
Sipas ministrit, arsimi profesional ka ndryshuar jo vetëm në numra, por dhe në cilësi, duke u rritur nga 3 mijë në 19 mijë nxënës në shkollat profesionale. Duke vënë theksin te dinamika e kërkesës së tregut privat, Ahmetaj tha se ka nisur procesi i konsultimit me sipërmarrjen dhe shkollat në të gjithë vendin.
“Unë dua të theksoj që është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të kemi kurrikulumet dinamike, t’i përmirësojmë në vazhdimësi, sepse kërkesa e tregut privat është gjithmonë në ndryshim, gjithmonë më dinamike, gjithmonë më e zgjuar dhe ne kemi nisur një proces shumë të rëndësishëm konsultimi me sipërmarrjen dhe me shkollat në të gjithë Shqipërinë, për të mësuar më shumë para se të formatojmë përfundimisht kurrikulumet për vitin tjetër”, tha ai.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.