Formular për ata që refuzojnë vaksinimin – Do të shpjegojnë arsyet e vendimit, do të pranojnë që njohin rreziqet nga COVID-19
Personeli shëndetësor që do refuzojë të kryejë vaksinën kundër COVID-19 do të duhet të plotësojë një formular të posaçëm, ku duhet të shpjegojë arsyet e këtij vendimi, ndërsa pranojnë se mund të ndryshojnë mendim në çdo kohë e të vaksinohen, nëse do të ketë ende gjendje të vaksinës. Formulari është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe ju adresohet të gjithë atyre personave, që rekomandohen për të kryer vaksinën në mënyrë që të mbrohen ata dhe pacientët të cilët iu shërbejnë.
Gjithashtu, ata që refuzojnë, përmes firmosjes së formularit pranojnë se pasojat e refuzimit për t’u vaksinuar ndaj COVID-19 mund të kenë efekte kërcënuese për shëndetin dhe jetën e tij dhe personave me të cilët kanë kontakt, përfshirë: të gjithë pacientët në institucionin shëndetësor ku shërbejnë, bashkëpunëtorët, familjarët dhe komunitetin ku jetojnë. Po kështu, ata që refuzojnë të vaksinohen pranojnë se mund të përhapin virusin përpara dhe pas shfaqjes së shenjave, si dhe faktin që edhe pse vetë mund të mos kenë simptoma apo t’i kenë në nivel mesatar, mund të përhasin virusin dhe të tjerët mund të sëmuren shumë rëndë.
Vaksinimi kundër COVID-19 në vendin tonë nisin në datën 11 janar, ndërkohë që mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID janë të parët që po i nënshtrohen këtij procesi. Më pas vaksinimi do të vazhdojë me pjesën tjetër të personelit shëndetësor dhe atij mbështetës, në urgjenca dhe reanimacion, duke u shtrirë gradualisht te i gjithë stafi prej 23 mijë vetësh.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.