Formulari i dekriminalizimit, KQZ: Të gjithë kandidatët për deputet do të verifikohen

Të gjithë kandidatët që do të garojnë për deputet në zgjedhjet për Kuvend të datës 18 qershor do të verifikohen nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve.
Përveç dokumentacionit të kandidimit që depozitohet nga partitë politike apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, duhet të jetë edhe jetëshkrimi (CV) për secilin kandidat.
“Formulari i dekriminalizimit dhe jetëshkrimi (CV), duhet të jenë në formatin e shkruar (hard-copy) dhe elektronik (të skanuara pasi janë firmosur nga kandidati), dhe do të publikohen në faqen e zyrtare të internetit të KQZ-së, www.cec.org.al, për të qenë të aksesueshëm lehtësisht nga zgjedhësit, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile”, deklaroi zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj.
Sipas KQZ subjektet zgjedhore duhet të dorëzojnë brenda datës 29 prill listat e kandidatëve për deputet dhe dokumentacionin shoqërues.
“Pavarësisht së kjo datë përkon me ditë të shtunë, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është ditë pune dhe 29 prilli, është afati i fundit i dorëzimit të listave të kandidatëve, nuk do të ketë më një afat tjetër. KQZ do të bëjë verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe verifikimin e formularëve të dekriminalizimit, për ta përmbyllur procesin e regjistrimit të listave shumëemërore brenda datës 5 maj”, tha Hoxhaj.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.