Forumi i Euromoney/ Guvernatori Sejko: Duhen politika për të nxitur pagesat elektronike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në forumin për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, aktivitet vjetor i organizuar në Vienë nga Euromoney.
Në fjalën e tij të mbajtur në panelin e Guvernatorëve, Sejko tha se stimuli monetar i ka mundësuar Shqipërisë një ambient financiar me norma të ulëta interesi, duke nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private, ka reduktuar çmimin e kredisë, si dhe ka lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit për të gjitha segmentet e ekonomisë.
Guvernatori u shpreh se kjo politikë ka rezultuar e suksesshme, në shmangien e recesionit në periudhën e krizës dhe në fillimin e rimëkëmbjes së kërkesës agregate.
Një tjetër çështje e trajtuar në këtë panel ishte reduktimi i përdorimit të parasë cash në ekonomi. Guvernatori Sejko u shpreh se për vende si Shqipëria, në të cilat përdorimi i parasë cash përbën pjesën më të madhe të pagesave, mbetet e rëndësishme që institucionet të ndërmarrin politika dhe strategji, që stimulojnë publikun në përdorimin e mundësive të pagesave elektronike.
Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili synon të ndryshojë sjelljen e publikut ndaj pagesave dhe i hap rrugë zhvillimit të produkteve të reja në këtë treg.
Ndërsa në prezantimin e mbajtur në tryezën kushtuar Shqipërisë në këtë forum, Guvernatori Sejko theksoi se për të siguruar një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme afatgjatë, Shqipëria duhet të rrisë më tej konkurrueshmërinë e saj dhe t’i zgjerojë tregjet përtej kufijve.
Sipas tij, kjo duhet të përfshijë lëvizjen ndërkufitare të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.