Forumi i telekomunikacioneve – Sfidat e rritjes së shërbimeve elektronike

Të mërkurën u zhvillua forumi i tetë vjetor i telekomunikacioneve, një takim vjetor që mbledh grupet kryesore të interesit për të diskutuar rreth zhvillimeve dhe tendencave kryesore në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Ministria e Inovacionit, Milena Harito, tha se tregu shqiptar ka potenciale të mëdha për të rritur shërbimet që ofrohen në distancë përmes teknologjisë.
Me gjithë rritjen e viteve të fundit, Shqipëria është ende larg niveleve europiane të përdorimit të blerjeve elektronike apo bankingut përmes internetit.
Kompania ALEAT së fundmi ka nisur ofrimin e shërbimeve në distancë të bazuara në dokumentet biometrike të shtetasve. Tashmë, shërbimi në disa kompani private dhe institucione publike mund të merren duke u identifikuar në distancë me letërnjoftimin elektronik.
“Shërbimet e identifikimit përmes të dhënave biometrike ofrojnë më shumë siguri, por njëkohësisht edhe konfidencialitet. Kjo rrit sigurinë e transaksioneve dhe ul rrezikun, por edhe kostot e lidhura me mashtrimet. Deri tani, kemi ndërtuar bashkëpunime të suksesshme me kompani private dhe banka, për të mundësuar shërbime të identifikimit në distancë të përdoruesve. Bashkëpunimi ka nisur me institucione publike, megjithatë këtu gjërat kërkojnë më shumë kohë. Sidoqoftë, tashmë disa shërbime, si për shembull ato të Qendrës Kombëtare të Biznesit, mund të merren elektronikisht përmes identifikimit me letërnjoftimin biometrik”, u shpreh Jean Alain Jouan.
Zëvendëministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besa Gashi-Zogaj, tha se Kosova, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka ndërmarrë projekte investimesh për rritjen e aksesit të popullsisë së shërbimet e internetit me brez të gjerë përmes linjave fikse.
Zgjerimi i shërbimeve elektronike, qofshin nga institucionet publike apo kompanitë private, ende frenohet nga aksesi i kufizuar në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.
Shqipëria ende ka një prapambetje të konsiderueshme në përhapjen e linjave fikse të internetit. Në fund të vitit të kaluar, numri i përdoruesve të internetit me linja fikse ishte 266 mijë.
Me gjithë rritjen e vazhdueshme, penetrimi i linjave fikse në Shqipëri ngelet shumë i ulët, sidomos jashtë qendrave të mëdha urbane.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.