Forumi/ Kreu i AMF-së, Koçi: Kemi një projekt ambicioz për zhvillimin e tregut të kapitaleve, specifikisht edhe për tregun e pensioneve
Forumi Global për Pensionet Private “Zhvillimi dhe mbikëqyrja e marrëveshjeve për fondet e pensioneve” nisi punimet në Tiranë.
Forumi organizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS) dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Në forumin më të madh për tregjet financiare të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri marrin pjesë përfaqësues nga autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse, ekspertë të nivelit të lartë nga industria e fondeve private të pensionit nga vendet anëtare të të dyja organizatave OECD dhe IOPS.
Në fjalën e mbajtur në nisje të punimeve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi theksoi se për Autoritetin është privilegj dhe përgjegjësi e lartë organizimi i Forumit Global të Pensioneve Private për herë të parë në Tiranë.”
Aktivitete të këtyre përmasave përveç shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira midis rregullatorëve të tregjeve financiare shërbejnë më së miri për të promovuar Shqipërinë në Botë” tha ai.
“Kjo është konferenca më e rëndësishme dhe me pjesëmarrjen më të madhe për tregjet financiare që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Dhe kjo do të thotë shumë për Autoritetin dhe politikbërësit ku në bashkëpunim kemi një projekt ambicioz për zhvillimin e tregut të kapitaleve, specifikisht edhe për tregun e pensioneve.
Si objektiv të përbashkët synojmë të kalojmë nga një treg modest i pensioneve private në një treg të konsoliduar nën një mbikëqyrje të kujdesshme në funksion të rritjes së mirëqënies dhe zhvillimit të tregut, duke e kthyer atë në një aset për ekonominë,” u shpreh Koçi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.