Forumi për Ballkanin Perëndimor – BE: Do mbështesim vendet financiarisht dhe politikisht
Bashkimi Europian ka rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e tij në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në procesin e integrimit duke theksuar se kjo mbështetje do të jetë si politike edhe ekonomike.
“Mendojmë se samiti në Itali është një mundësi e mirë për të konfirmuar dhe rilançuar bashkëpunimin në çështje të ndryshme. Jemi plotësisht të angazhuar që të mbështesim këtë bashkëpunim, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana politike. Në mjedisin e biznesit dhe inovacionit ne shohim një potencial të madh në Ballkanin Perëndimor dhe sugjerojmë që fokusi të jetë tek sipërmarrja lokale, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bashkimi Europian është shembulli i përfshirjes së teknologjisë smart, asaj të gjelbër dhe mund të ndahet si eksperiencë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të ndihmojmë me financim për zhvillimin e biznesit dhe gjasat janë që të kemi një buxhet më të madh për programin EDIF, me fokus pjesën dixhitale, sipërmarrësit e rinj dhe ekonominë sociale”, shprehet Karl Giacinti, menaxher projekti për Ballkanin Perëndimor, BE.
Por vendet e Ballkanit Perëndimor duket se kërkojnë një rishikim të detyrave që ju jepen nga Bashkimi Europian, që ngarkojnë axhendat dhe në shumicën e rasteve përfundojnë në procese gjysmake.
“Mendoj që Procesi i Berlinit nuk duhet të shpërndahet në shumë me çështje sepse nuk është zëvendësues për procesin e zgjerimit, por është plotësues i tij. E për aq kohë sa është plotësues nëse e ngarkon axhendën e këtij procesi, ka shumë mundësi që kapaciteti administrativ i vendeve dhe qeverive të mos jetë i madh dhe eficent për të ndjekur gjithçka nga pjesa e Berlinit tek ai i zgjerimit të BE, tek kapitujt e negociatave e kështu me radhë. Kjo do bëjë që gjërat të lihen përgjysmë. Duhet të nisim të zbatojmë së pari masat e buta që nuk kanë ngarkesa”, theksoi Peter Grk, koordinator në Ministrinë e Punëve të Jashtme Slloveni.
Deklaratat u bënë gjatë një forumi për rolin e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, si presion pozitiv karshi qeverive dhe bashkëpunimit rajonal.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.