[FOTO] Biblioteka moderne edhe te Shkolla e Kuqe dhe kafe “Flora” – Bashkia hap tenderat për rikonstruksionin
Pas bibliotekës “Musine Kokalari” në njësinë Nr.7, dy biblioteka të reja në kryeqytet do t’i nënshtrohen rikonstruksionit, duke i kthyer në hapësira moderne e tërheqëse.
Bashkia ka hapur garën për tenderin e punimeve për Bibliotekën e Qytetit Nr.5, e cila ndodhet në rrugën Mine Peza pranë kafe “Flora”, si dhe për Bibliotekën e Qytetit Nr.3, në rrugën Thanas Ziko pranë Shkollës së Kuqe.
Fondi limit për godinën e parë është caktuar në 2.9 milionë lekë, ndërsa për të dytën në 6.6 milionë lekë të reja.
Në të dy rastet punimet do të zgjasin 65 ditë pas lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik që rezulton të ketë bërë ofertën fituese. Kjo do të thotë se gjithçka pritet të jetë gati brenda muajve të parë të verës.
Ashtu si me bibliotekën ekzistuese, ngjyra mbizotëruese është e verdha, mobilimi është prej druri dhe faqja anësore është projektuar në xham për të lejuar hyrjen e dritës natyrale.
Investimet pritet të shtrihen në të ardhmen në të gjitha lagjet ku ka një bibliotekë ekzistuese. Përpjekja për t’i shtyrë të rinjtë drejt leximit vjen në një moment që frekuentimi i bibliotekave është në rënie drastike. Gjatë vitit 2017, numri i vizitorëve në Bibliotekën Kombëtare ra me 41,3% krahasuar me një vit më parë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.