(FOTO) Godina e ISTN kthehet në Betahaus Tirana – Hapësirë inovacioni për qytetarët, në PPP me Ministrinë e Zhvillimit Urban
Godina ekzistuese e Institutit të studimeve teknologjike të ndërtimit në Tiranë do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni, për t’u shndërruar në një hapësirë moderne për të punuar së bashku në mënyrë fleksibël.
Ndërtesa trekatëshe pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, do të shndërrohet në “Betahaus Tirana”, sipas modelit ndërkombëtar të pranishëm tashmë në Berlin, Hamburg, Sofje dhe Barcelonë.
Betahaus do të jetë e përbërë nga hapësira për “co-working”,me salla eventesh, zyra biznesesh, kinema, punishte dhe garazhe, kafe letrare, restorant, salla trajnimesh, laboratorë dhe bibliotekë, si edhe hapësira të hapura relaksuese.
Projekti do të realizohet përmes skemës së bashkëpunimit Partneritet Publik-Privat me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Për kryerjen e punimeve Ministria ka caktuar një fond maksimal prej 80.4 milionë lekësh, të cilat do t’i akordohen operatorit fitues përgjatë disa viteve, ku për vitin 2017 do të akordohen rreth 30 milionë lekë.
Projekti synon të sjellë përvojat ndërkombëtare për të mbështetur qytetarët dhe bizneset që të jenë krijues dhe inovative duke punuar në një hapësirë inovative sociale, duke ndarë idetë e tyre, duke iu ofruar trajnime, mbështetje dhe shërbime për zhvillimin e kompetencave në fushën e inovacionit dhe konkurrencës.
Pas mbylljes së tenderit në fund të Tetorit dhe shpalljes së kompanisë fituese, punimet do të realizohen brenda 8 muajsh, çka nënkupton se qendra mund të jetë funksionale vjeshtën e vitit 2018.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.