FOTO/Inaugurohet loti i parë i segmentit rrugor Korçë-Ersekë prej 17.6 km
Ka përfunduar ndërtimi i lotit të parë të aksit kombëtar Korçë-Ersekë, me një gjatësi prej 17.6 kilometra. Kjo rrugë i përket kategorisë “C1”. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, drejtorin e ARRSH-së Afrim Qendro inspektuan përfundimin e punimeve.
Me kërkesën e Bashkisë Korçë projekti ka pësuar ndryshime gjatë zbatimit të tij ndërsa në zonën urbane rreth 2 kilometër është plotësuar edhe me korsinë e biçikletave, pemët dekorative, ndriçimin rrugor, trotuaret.
“Ka nisur në vitin 2013, ka pasur disa ndryshime gjatë zhvillimit të kontratës. Kemi patur një kërkesë nga Bashkia Korçë për të ndërhyrë në segmentin e parë prej afërsisht 2 kilometra, për ta plotësuar me elementët e zonës urbane. Janë të plotësuara gjelbërimi, ndriçimi, trotuaret dhe korsia e biçikletës bashkë me gjithë elementët e tjerë dhe ura në hyrje të qytetit të Korçës. Kemi bërë lidhjen fundore të këtij segmenti me rrugën e vjetër që të çon në Ersekë dhe zgjidhjen përfundimtare në pjesën e vështirë të Qarrit duke e kthyer këtë rrugë në tre korsi, dy në ngjitje dhe një në zbritje për shkak të kushteve atmosferike të këqija që ka kjo zonë”, sqaroi drejtori i ARRSH, Afrim Qendro.
I gjithë projekti për lidhjen e Korçës me Ersekën është i ndarë në 3 lote ndërsa ministri Gjiknuri tha se qeveria është e vendosur për të financuar edhe lotet e tjera deri në përfundimin e plotë të aksit deri në Ersekë.
“Ky është loti i parë. Qeveria shqiptare në planin e saj ka edhe vazhdimin e dy loteve të tjera për përfundimin e rrugës deri në Ersekë. Me optimizimin e buxhetit dhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit, besoj vitin tjetër do të jetë e mundur edhe fillimi i lotit tjetër drejt Ersekës që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë. Programet e qeverisë shqiptare për infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë dhe ne atë që kemi thënë do ta bëjmë realitet, që në krye të katër viteve do të përfundojmë të gjitha kantieret e hapura dhe do të mbyllim çdo vepër që po hapim tani, që Shqipëria të ketë një rrjet rrugor kombëtar me gjithë parametrat që duhen”, nënvizoi Gjiknuri.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi vuri theksin tek fakti se loti i parë i Korçë-Ersekë krijon lidhjen e qytetit me 4 fshatra të cilat janë pjesë e projektit “100 Fshatrat”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.