FOTO/ Përplasja ‘kokë më kokë’ e 2 galaktikave formon trekëndëshin e pazakontë hapësinor të yjeve!

Një formë e pazakontë trekëndëshi e formuar nga dy galaktika që përplasen së bashku në një tërheqje kozmike është kapur në një imazh të ri të marrë nga Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA-s. Përplasja kokë më kokë midis dy galaktikave nxiti një furi formimi të yjeve, duke krijuar “trekëndëshin e çuditshëm të yjeve të sapoformuar”, sipas një njoftimi të NASA-s.
Çifti i galaktikave që duelojnë së bashku quhet Arp 143. Ajo në qendër të trekëndëshit yjor është një galaktikë e njohur si NGC 2445, e mbushur me gazra që shkaktojnë lindjen e yjeve dhe homologu i saj më pak i shquar është NGC 2444.
NASA sugjeroi që galaktikat kaluan nëpër njëra-tjetrën, duke ndezur një stuhi yjesh që shpërthejnë në jetë në galaktikën NGC 2445. Çifti i galaktikave janë duke bërë një tërheqje, të cilën galaktika NGC 2444 që nuk është e rrethuar nga trekëndëshi yjor duket se po e fiton, tha NASA.
NGC 2444 është gjithashtu përgjegjës për tërheqjen e fijeve të gazit nga partneri i tij, duke tërhequr yje të rinj blu që duket se formojnë një urë midis dy galaktikave. Megjithëse pjesa më e madhe e veprimit po ndodh në NGC 2445, galaktika tjetër në çiftin ndërveprues është shtrirë në një formë të çuditshme. Kjo galaktikë përmban yje të vjetër dhe asnjë yll të ri.
Teleskopi Hapësinor Hubble është një bashkëpunim midis NASA-s dhe Agjencisë Hapësinore Europiane. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.