[FOTO] Rehabilitimi i rrugës Yzberisht-Kashar – Bashkia hap tenderin me vlerë 166.6 mln lekë
Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e tenderimit për rehabilitimin e rrugës Yzberisht – Kashar. Fondi limit i parashikuar për rehabilitimin e këtij segmenti rrugor, pjesë e Njësisë Administrative Kashar me gjatësi 3.6 km është parashikuar të jetë 166.6 milionë lekë.
Projekti parashikon ndërtimin e shtresave të reja rrugore, marrjen e masave inxhinierike për disiplinimin e ujërave, ndriçimin në rrugë si dhe vendosjen e sinjalistikës.
Ky segment rrugor përbëhet nga dy korsi për automjetet me gjerësi 7 metra. Përgjatë rrugës janë parashikuar ndërhyrje për unifikimin e mureve rrethues të objekteve të banimit dhe të objekteve të bizneseve. Gjelbërimi dhe pemët janë një tjetër element që përfshin rehabilitimi i kësaj rruge në segmentet ku ato mungojnë.
Po ashtu, do të bëhen ndërhyrje në trotuaret për këmbësorët, ku në pjesët e ndërprerjes së janë parashikuar ndërtimi segementeve të kalimit në nivel rrugë – trotuar për personat me aftësi të kufizuar. Ndërkohë, gjatë hartimit të projektit është parë gjithashtu edhe mundësia e ndërtimit të parkingjeve.
Operatorët turistikë do të kenë mundësi të dorëzojnë ofertat e tyre deri në datën 16 prill 2018. Ndërsa lidhur me kohëzgjatjen e kontratës, është parashikuar një afat kohor 8 muaj kalendarikë që nga nënshkrimi i saj.
Rehabilitimi i rrugëve si dhe mirëmbajtja e tyre janë përcaktuar edhe si dy nga objektivat kryesorë të qeverisë shqiptare, e cila ka deklaruar se nga prilli i këtij viti do të bëhen ndërhyrje masive për rehabilitimin e rrugëve.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.