[FOTO] Rikualifikimi i Parkut Industrial të Kuçovës – Ja detajet e projektit me vlerë mbi 180.3 mln lekë

Parku industrial i Kuçovës do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksioni. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderimit për rikualifikimin urban të tij, një investim i cili do të financohet nga buxheti i shtetit.
Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë investim kap vlerën e mbi 180.3 milionë lekëve, ku fondi i akorduar për vitin 2018 është 36 milionë lekë, ndërsa pjesa e mbetur është parashikuar për vitin 2019.
Nga detajet e projektit, janë parashikuar të kryhen një sërë ndërhyrjesh, ku është menduar të ruhen disa elemente të cilat kanë vlera arkitektonike dhe kulturore për qytetin, siç është kulla e vjetër dhe oxhaku, si dhe fasada e një fabrike në pjesën perëndimore të parkut.
Duke qenë se sheshi kufizohet nga stadium në pjesën perëndimore, është projektuar që zonat sportive të cilat do të ketë parku të pozicionohen në krah të stadiumit, për të krijuar kështu ehde4 një lidhje vizuale midis tyre.
Zona sportive do të përmbajë tre fusha të mëdha, konkretisht për futboll, volejboll dhe tenis. Ndërsa pjesa tjetër e hapësirës sportive është planifikuar të përdoret për workshope, rekreacione, piknik, vrap, etj.
Ndërkohë, në pjesën jugore është menduar që të krijohet një zonë e gjelbëruar, për të eliminuar në një farë mënyre edhe pamjen e godinave ekzistuese, ku një pjesë e tyre i kanë rezistuar kohës.
Grafiku i punimeve përfshin po ashtu ndërtimin e rrugës kryesore di he rrugëve të tjera dytësore të cilat do të lidhin zonat e tjera rreth e rrotull parkut.
Në pjesën qendrore janë parashikuar të krijohen disa basene ujore si dhe disa fasha gjelbërimi si dhe stola përgjatë gjithë rrugëve të parkut. Po ashtu, është planifikuar të ndërtohet edhe një mini amfiteatër për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme. Punimet për këto ndërhyrje janë planifikuar të përfundojnë në një afat prej 12 muajsh.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.