(FOTO) Salla e koncerteve pranë Liceut Artistik – Detajet e projektit me fond limit 98 milionë lekë

Liceu Artistik “Jordan Misja” do të kompletohet me një sallë koncertesh, e cila do të ndërtohet pranë auditorit të kësaj shkolle.
Bashkia e Tiranës ka hapur ditën e premte zyrtarisht procedurat për tenderimin e këtij projekti, për të cilën fondi limit i akorduar është 98.2 milionë lekë, para të cilat do të merren nga granti për “Arsim”.
Aplikimet do të mbyllen më datë 20 Tetor, ndërsa pas shpalljes së fituesit do të duhen 12 muaj për ndërtimin e plotë të sallës me kapacitet rreth 250 vende.
Siç duket edhe nga fotot, Salla e Koncerteve “Tonin Arapi”, që mban emrin e kompozitorit shqiptar, do të vendoset në krah të godinës ekzistuese të Liceut Artistik, një pjesë e të cilës do të prishet.
Objekti do të jetë në lartësinë e godinës së Liceut, me dy kate për sallën e koncerteve, e cila do të ketë një llozhë në pjesën e sipërme, ndërsa kati i fundit, që do të jetë mbi kuotën e ndërtesës ekzistuese, do të shfrytëzohet për të vendosur sallën e ekspozitave.
Projekti për rivënien në punë të sallës së koncerteve të shkollës “Jordan Misja” u lajmërua edhe nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, pak para përfundimit të rikonstruksionit të plotë të këtij liceu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.