[FOTO] Si do të duket shëtitorja e re e Belshit – Nga korsitë e dedikuara, amfiteatri e deri tek zonat e plazhit. Detajet e projektit me vlerë 155.7 mln lekë
Belshi do të ketë së shpejti një shëtitore multifunksionale me më shumë hapësira publike për qytetarët e tij. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderimit për fazën e tretë për projektin i cili parashikon jo vetëm ndërtimin e pedonales pranë liqenit të Belshit, por edhe të korsisë së biçikletave.
Fondi limit i akorduar për këtë investim kap vlerën e 155.7 milionë lekësh, ku për vitin 2018 parashikohen 31.1 milionë lekë, ndërsa pjesa e mbetur është përcaktuar për vitin 2019.
Nga detajet e investimit, krahas korsisë së dedikuar për biçikleta kjo shëtitore do t’i japë qytetit edhe korsi e kalime të shtruara për këmbësorët, si dhe hapësira të gjelbra e pika të ndryshme atraktive përgjatë gjithë gjatësisë së saj.
Grafiku i punimeve parashikon edhe ndërtimin e zonave sportive, si dhe në hapësirën e studiuar është llogaritur edhe një zonë për kënd lojërash për fëmijë.
Shëtitorja do të përfshijë edhe një sërë elementësh të tjerë, si sheshe rekreative, hapësira të ndryshme për parkim publik, një aks automobilistik, mole druri për aktivitete sportive e liqenore, si dhe dy zona plazhi publik.
Sa i takon pozicionimit të moleve, ato janë parashikuar të vendosen në dy skajet e shëtitores, ku secili do të ketë një sipërfaqe prej 150m2 dhe do të jenë të pajisur edhe me ndriçues.
Ndërsa, terrenet sportive do të ndërthuren në zonën e pyllëzuar në mënyrë të shpërndarë, ku konkretisht janë propozuar një fushë sporti mikes për basketboll, volejboll, apo kalçeto si dhe një fushë volejbolli.
Projekti është planifikuar në një mënyrë të tillë që të krijojë një lidhje harmonike të hapësirës urbane me natyrën, si dhe qytetin me liqenin. Moria e hapësirave funksionale të propozuara e bën të shfrytëzueshëm parkun në çdo stinë të vitit.
Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një amfiteatri me kapacitet rreth 150 vende, me shumë funksione i cili ka për qëllim jo vetëm të mbledhë njerëz, por edhe të kthehet në një hapësirë të parkut e cila do të shndërrohet në një ‘destinacion’ gjatë gjithë kohës.
Ndërsa, zonat e plazhit janë planifikuar të vendosen përkatësisht në jug dhe në pjesën jug-lindore të liqenit, ku hapësirat do të jenë të mbushura me rërë të importuar.
Do të vendoset gjithashtu edhe një godinë shërbimi, e cila do të ndahet në dy pjesë, njëra me funksion të tualeteve dhe tjetra hapësirë shërbimi.
Afati kohor për dorëzimin e ofertave nga operatorët e interesuar është data 21 dhjetor 2018, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar 10 muaj nga firmosja e saj.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.