[FOTO] Transformimi urban i Përrenjasit – Ja çfarë parashikon projekti
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen në qytetin e Përrenjasit, në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane.
Sipas Ahmetajt, projekti për transformimin urban të Përrenjasit parashikon ndërtimin e një sheshi qendror si dhe një hapësirë çlodhëse dhe argëtuese për të gjitha grupmoshat.
Po ashtu, ai shtoi më tej se do të bëhet edhe rikonstruksioni i Qendrës Kulturore të Qytetit.
“Bashkia e Përrenjasit është përfituese edhe e një projekti tjetër të rëndësishëm, në kuadër të bashkëpunimit me Qeverinë Italiane për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore dhe shndërrimin e saj në një qendër multidimensionale, përfshirë këtu edhe një bibliotekë të munguar për qytetin.”
Ndërkohë, ai u shpreh se në vijimësi të projektit të Rilindjes Urbane, do të kalohet përtej qyteteve, në rajone e fshatra.
“Jemi duke negociuar dy projekte shumë të rëndësishme për rrugë rurale, rrugë rajonale të cilat do të lidhin qytetet me pjesën tjetër të qarkut, do të lidhin turizmin me qytetet dhe me akset kryesore, do të lidhin bujqësinë, agroindustrinë me qendrat e turizmit dhe me tregjet”, tha Ahmetaj.
Sa i takon investimeve në akset rrugore, Ahmetaj tha se në rrugët kryesore do të investohen rreth 750 milionë euro brenda buxhetit afatmesëm në dy –tre vitet e ardhshme dhe në ato rajonale e rurale 200 milionë euro.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.