[Foto] Transformohet pallati tek kryqëzimi i rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël – Çelet tenderi për rehabilitimin
Pallati tek kryqëzimit i rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël do të marrë së shpejti një pamje të re. Bashkia e Tiranës ka hapur zyrtarisht garën për tenderin e punimeve për rehabilitimin e ndërtesës, me një fond limit që kap vlerën e 26.2 milionë lekëve. Grafiku i punimeve përcakton një kohështrirje prej 4 muajsh kalendarike nga firmosja e kontratës.
Pallati 6-katësh i ndërtuar në vitet 1970, i projektuar nga arkitekti Maks Velo, përbën një pjesë të rëndësishme të arkitekturës shqiptare, pasi është ndërtesa e parë që ka mishëruar arkitekturën moderne në objektet rezidenciale në Shqipëri. Nisur nga vlerat arkitekturore dhe pozicionimi i tij pranë qendrës së Tiranës, është parë e nevojshme të bëhet edhe rehabilitimi i objektit.
Janë një sërë ndërhyrjesh që janë parashikuar të kryhen, ku rehabilitimi i fasadës është edhe pjesa më e rëndësishme. Ndërhyrje të tjera përfshijnë përmirësimin e kushteve të hidro/termoizolimit të tarracës, prishjen e shtresave në anën veriore të objektit, unifikimin e fasadës lindore dhe të ambienteve të përbashkëta shkallë dhe korridore, si dhe rinovimin e trotuareve.
Duke qenë se ndërtesa ndodhet në një zonë qendrore të qytetit, është parë e nevojshshne vendosja e ndriçimit dekorativ i të 4 fasadave. Ndërhyrjet janë lokale dhe nuk prekin strukturën mbartëse të godinës ekzistuese.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.