Fotoja e parë e një këlyshi ngjall shpresat për rrëqebullin e Ballkanit

Është fotoja e parë e një këlyshi rrëqebulli në mbi një dekadë, e cila jep shpresë për mbijetesën e maces më të madhe dhe më të rrallë në Europë.
Me më pak se 50 mace të egra të mbetura në malet e Ballkanit Perëndimor, kjo nënspecie e rrëqebullit euroaziatik është shumë pranë zhdukjes.
Rrëqebulli i Ballkanit po përballet me zhdukjen e habitatit, gjuetia e paligjshme dhe hakmarrja e fermerëve bagëtitë e të cilëve ndonjëherë sulmohen. Rasti i para dy vjetësh kur një bari në Munellë vrau me gurë një këlysh të kësaj specieje.
Sfida më e madhe është madhësia e vogël e popullatës si edhe përqindja e ulët e mbijetesës për këlyshët. “Vetëm 25% e të gjitha koteleve që lindin e arrijnë moshën e rritur”, thotë Mareike Brix nga organizata EuroNatur.
Fotoja është bërë në Parkun Kombëtar të Mavrovës, çka sugjeron se atje ka një popullatë të shëndetshme riprodhuese. Gjurmimi i pozicionit ishte i mundur pasi një ekip arriti t’i vendosë një qafore GPS një femre rrëqebulli në Shkurt të këtij viti. Ekipi ia vendosi emrin Maja dhe ajo është rrëqebulli i parë ballkanik femër që mban një qafore të tillë.
Nëse në rastin e meshkujve të dhënat e GPS-it tregojnë zonat ku gjuajnë dhe ku ushqehen, në rastin e femrave ato mund të tregojnë më tepër, si ky rast kur është zbuluar këlyshi i saj.
Ky është një lajm i mirë pasi konfirmon se ka kafshë që riprodhohen, shprehet John Linnel nga Instituti Norvegjez për Studimet e Natyrës, i cili bashkëpunon me Shoqatën Ekologjike Maqedonase dhe Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, program që nisi në vitin 2006.
“Kur nisi ky projekt para më shumë se 10 vjetësh, nuk kishte prova reale nëse kjo popullatë ekzistonte. Që prej atëherë, ekipi ka mbledhur me qindra foto nga kamera të fshehura të rrëqebujve në Shqipëri dhe Maqedoni, përfshirë edhe prova të riprodhimit”, shprehet Linnel.
Kamerat kanë kapur kohët e fundit rrëqebuj edhe malin e Munellës në veri të Shqipërisë si edhe në Bjeshkët e Namuna në Kosovë.
Tashmë këto organizata kërkojnë nga qeveria maqedonase dhe ajo shqiptare të forcojnë masat kundër gjuetisë së paligjshme, sidomos në zona si ajo e Parkut Kombëtar të Mavrovës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.