(FOTOT) AKU mbyll baxhon, konfiskohen 120 kilogramë djathë i mykur
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ka forcuar dhe shtrënguar akoma më shumë masat dhe kontrollet, nëpërmjet monitorimeve dhe sinjalizimeve në stabilimentet e produkteve të qumështit dhe nën produktet e tij, me qëllim sigurimin dhe garantimin e çdo produkti që tregtohet në vend.
“Konkretisht, në vazhdimësinë e kontrolleve në baxho, inspektorët e AKU-së kanë kapur në flagrancë shtetasin D. G. i cili tregtonte djathë të bardhë pa asnjë lloj etikete si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare. Nga ky kontroll, trupa inspektuese e DRAKU, Shkodër konstatoi që subjekti, me Nipt L56411014T, dhe aktivitet “Përpunim qumësht, Baxho” kryente veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore duke ruajtur produktin djathë në ambient frigoriferik me përmbajtje myku si dhe temperatura e trajtimit të qumështit nuk ishte në normat e lejuara” njofton AKU.
Për sa më sipër u mor masë administrative gjobë 350 mijë lekë , mbyllje të aktivitetit si dhe bllokim të sasisë së produktit “djathë i bardhë” prej 120 kg, si dhe u morën mostra për analiza.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor (njësive të tregtimit e shërbimit) që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.
Gjithashtu, AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.