[Fotot] Transformohet Parku “Rinia” – Bashkia hap tenderin. Detajet e projektit me vlerë 104.6 mln lekë
Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e tenderimit për rehabilitimin e Parkut “Rinia”. Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë projekt kap vlerën e 104.6 milionë lekëve.
Ndërhyrjet që do të kryhen do të konsistojnë në rikonceptimin e parkut publik për t’iu përshtatur kërkesave dhe ndryshimeve të qytetarëve që frekuentojnë këtë park. Grafiku i punimeve përfshin vendosjen e ndriçimit rrugor dhe rrjetin e linjave rezervë për internet telefoninë, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha si dhe të ndotura.
Ndërkaq, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjelbërimit si dhe krijimit të minishesheve. Ndërkaq, do të kryhet një sistemim i rrjetit të rrugëve brenda parkut, i cili do të ndahet në dy akse kryesore që ndërthuren me njëri-tjetrin. Po ashtu, do të krijohen edhe sheshe për lojëra për fëmijët si dhe për lojëra tavoline për të rriturit.
Edhe kafshët nga ana tjetër do të kenë një hapësirë të dedikuar, ku nga detajet e projektit sheshi i tyre do të shtihet në pjesën veriore të parkut. Gjithashtu një nga zonat që është parashikuar në detyrën e projektimit është edhe përfshirja e zgarave për parkimin e biçikletave të cilat do të pozicionohen në pjesën veriore te parkut kryesisht tek hyrjet kryesore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.