FOTOT/ Vendi që do ndërtojë një park të madh detar për të mbrojtur speciet në rrezik – Vendimi, ndalohen aktivitetet e peshkimit dhe ndërtimi i hoteleve

Qeveria e Meksikës po krijon një park të madh kombëtar për të ruajtur gjallesat detare në Oqeanin Paqësor. Ky park do të “mbrojë” gjallesa si balenat dhe breshkat, si dhe qindra specie të tjera në këtë zonë.
Kështu, Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto vendosi kohët e fundit që “Arkipelagu Revillagigedo”, i cili ndodhet rreth 390 km në juglindje të gadishullit Baja të Kalifornisë, të bëhet një park kombëtar.
Katër ishujt vullkanikë që përbëjnë arkipelagun “Revillagigedo” dhe ujërat përreth janë shtëpitë e qindra lloje kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë balenat kurrizore, breshkat e detit, hardhucat dhe shpendët migrues.
Me këtë vendim, tani të gjitha aktivitetet e peshkimit do të ndalohen, po kështu do të ndalohet ndërtimi i hoteleve në ishuj.
“Ministria e Mjedisit dhe Marina do të mbikëqyrin, do të monitorojnë si dhe do të zhvillojnë trajnime për arsimin mjedisor me peshkatarët, ndërkohë do të gjobiten të gjithë shkelësit”, tha Pena Nieto, pak kohë më parë.
Krijimi i parkut detar pritet të ndihmojë në rimëkëmbjen e popullatës së peshqve të goditur rëndë nga peshkimi komercial, si dhe mori vlerësim edhe nga Fondi Botëror i Kafshëve.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.