Franca bën të “fortën” – “Duam paratë tona mbrapsht, Britania të na japë 100 mld euro”

Në mbyllje të raundit të parë të bisedimeve mes Londrës dhe Brukselit për procesin e Brexit, Franca këmbëngul që Mbretëria të paguajë faturën prej 100 miliardë euro.
Kjo do të thotë se, negociatat nuk kanë qenë aspak të lehta që në raundin e parë dhe se mes dy palëve ka shumë diferenca.
Britania pranoi një javë më parë se, Brexit do të vijë me një faturë, por shifra prej 100 miliardë euro duket se nuk ka për t`u pranuar.
Në mënyrë të papritur, Franca ka përqafuar linjën e ashpër, rol të cilin zakonisht e luan Gjermania. Këtë e paralajmëroi ministri francez i financave në parlament, një ditë më parë.
“Unë do të them se, Margareth Thatcher thoshte: ne i duam paratë tona mbrapsht”, tha Bruno le Maire.
“Ne mund të diskutojmë gjithmonë për shumën, por fakti është që Mbretëria e Bashkuar duhet të paguajë atë që i detyrohet buxhetit të Bashkimit Europian dhe ky është një kusht i panegociueshëm në nisje të negociatave”, shtoi ai.
Aktualisht, Brukseli ka si prioritet kryesor në negociata, pagesën e kësaj fature, ndërsa Londra kërkon të ruajë disa nga të drejtat që gëzon nga të qenit pjesë e Bashkimit Europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.