Franca bllokon bisedimet mbi anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në Bashkimin Europian
Franca ka refuzuar bisedimet për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor pavarësisht thirrjes së Komisionit Europian që të fillojë procesi i pranimit.
Vendimi do të thotë që ëndrra për të hyrë në Bashkimin Europian mund të veniten për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Më vjen shumë keq që vendet anëtare nuk mund të marrin një vendim,” është shprehur Johannes Hahn, në një takim ministror në Luksemburg. “Nuk është një moment lavdie për Europën”.
Hahn shtoi se BE duhet të “rivendosë” besueshmërinë e saj në Ballkanin Perëndimor dhe “të përmbushë angazhimet. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë detyrat e tyre dhe kanë zbatuar reforma të dhimbshme”.
Por Franca qëndroi këmbëngulëse kundër fillimit të çdo bisedimi të pranimit për vendet e Ballkanit.
“Gjëja e parë për të cilën duhet të flasim është se si Europa duhet të reformojë mënyrën se si bëhet zgjerimi dhe negociatat,” tha Amelie de Montchalin, ministrja e çështjeve europiane të Francës, duke e quajtur procesin “një operacion të pafund”. “A është procesi efikas? Nga këndvështrimi ynë, jo.”
Franca argumenton se BE tashmë po përballet me shumë sfida të tilla si Brexit, migracionin, kërcënimet e sigurisë nga Rusia, për të pranuar dy shtete të tjera të Ballkanit në bllok.
Vendimi i Francës përplaset shumë me qëndrimin e Berlinit, i cili është në favor të zgjerimit. Një zyrtar i qeverisë gjermane tha se ishte çështje parësore për Gjermaninë, e cila do të mbajë samitin e saj vjetor me Francën.
Nebi Xhomaqi / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.