Franca, drejt rimëkëmbjes së fortë / Le Maire: Duhet treguar kujdes. Defiçiti publik do të rritet në 9% këtë vit
Ekonomia franceze ndodhet në një rrugëtim të rimëkëmbjes së fortë, por duhet treguar kujdes, sipas ministrit të Financave, Bruno Le Maire, që ruajti projeksionet për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto në 5% këtë vit. Ai foli për përshpejtimin e fushatës së vaksinimit dhe i bëri thirrje të gjithëve që të marrin injeksionin, ndërkohë që mund të ketë një rikthim të pandemisë në Vjeshtë.
Le Maire tha gjithashtu se Franca do të përballet me një defiçit publik në mbi 9% këtë vit, duke shtuar se po mbështetet tek rritja e fortë ekonomike për të ulur defiçitin më shpejtë në vitet e ardhshme. Ministri shtoi se ekonomia po rimëkëmbet fortë ndërkohë që paketa e rimëkëmbjes prej 100 miliardë euro është disbursuar, prej të cilave 1/3 është shpenzuar deri më tani.
Franca nisi një valë të rihapjeve në javën e kaluar, përfshirë lejimin e restoranteve që të shërbejnë në ambientet e jashtme, hapjen e dyqaneve, kinemave, teatrove dhe muzeumet. Vendi pritet të heqë më tej masat e kufizimit ndaj koronavirusit, ndërkohë që pritet të lejohen shërbimet brenda restoranteve nga data 9 Qershor.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.