Franca e mbyll me vrull – Besimi konsumator prek nivelin më të lartë në 10 vite
Besimi i konsumatorit francez u rrit mbi pritshmëritë gjatë muajit të fundit të vitit që sapo lamë pas. Kjo ka bërë që ky indikator të prekë nivelin më të lartë në 10 vite, nivel që u prek edhe në muajin Korrik të 2017-ës, pas fitores së Emanuel Macron.
Indikatori i besimit konsumator që matet çdo muaj nga instituti francez i statistikave tregoi kështu një nivel pranë 105 pikëve gjatë dhjetorit, nga 103 pikë që ishte gjatë muajit paraardhës. Të dhënat e Nëntorit u rishikuan lehtë në territor pozitiv. Rezultati i Dhjetorit flet për një përmbysje të pritshmërive të tregjeve dhe analistëve dhe flet për një formë të mirë të ekonomisë franceze.
Anketa e institutit të statistikave tregon gjithashtu që vlerësimi i konsumatorit francez për situatën ekonomike në vend ka prekur nivelin më të lartë që prej Dhjetorit të vitit 2002. Ekonomia franceze, si asnjëherë më parë gjatë dekadës së fundit po kalon një formë të mirë ekonomike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.