Franca gjobit Google me 150 milion euro për abuzim me rregullat e reklamave
Autoriteti i Konkurrencës së Francës gjobiti me 150 milion euro Google për “abuzimin e pozitës së tij dominuese” në tregun e reklamave në internet.
Agjensia tha që kompania e teknologjisë amerikane keqtrajtoi blerësit e reklamave bazuar në fjalë kyçe. Metodat e përdorura nga platforma e saj “Google Ads” janë “të paqarta dhe të vështira për t’u kuptuar” dhe kompania i zbaton ato në një “mënyrë të pabarabartë dhe arbitrare”, tha ajo.
Agjensia gjithashtu urdhëroi Google të sqarojë rregullat për Google Ads dhe procedurat e saj për ngrirjen e llogarive, për të shmangur pezullimet “brutale dhe të pajustifikuara”.
Kjo është më e fundit në një sërë gjobash evropiane kundër Google, e cila përballet me shumë pak konkurrencë për biznesin e motorëve të kërkimit në të gjithë kontinentin. Kompania është goditur vitet e fundit me gjoba multibilion dollarëshe të vendosura nga autoritetet e Bashkimit Evropian për rastet monopolistike dhe gjithashtu po përballet me presion në rritje rregullatorit në frontet e tjera në Evropë dhe Sh.B.A.
Google tha në një deklaratë se do të apelojë, dhe se politikat e saj të reklamimit janë krijuar për të mbrojtur konsumatorët “nga reklamat shfrytëzuese dhe abuzive.”
Çështja lindi nga një ankesë që kompania konsulente në internet “Gibmedia” paraqiti pasi Google pezulloi llogarinë e saj të reklamës në vitin 2015. Gjatë dhe pas mosmarrëveshjes së tyre të zgjatur, Google publikoi reklama të ngjashme me ato të drejtuara nga “Gibmedia”, sipas aktvendimit, i cili citon edhe shembuj të tjerë të kompanive, të cilat Google i pezulloi pa arsyetim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.