Franca kundër “rrymës”, Philippe: Duhet t`i japim fund “fiksimit” tonë për të shpenzuar

Kryeministri francez, Edouard Philippe, deklaroi se, ka ardhur koha që Franca t`i japë fund vesit të saj për të shpenzuar. Sipas tij, gjatë 5 viteve të ardhshme, qeveria do të shkurtojë shpenzimet e për rrjedhojë do të ulë nivelin e borxhit, që sipas tij janë në nivele të papranueshme.
Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron, kërkon që të ulë shpenzimet dhe deficitin me synimin që të rifitojë besimin e Bashkimit Europian e sidomos Gjermanisë, në mënyrë që të bindë këtë të fundit për të ndërmarrë reformat e nevojshme të revolucionarizimit të unionit.
“Francezët janë të fiksuar me shpenzimet. E si çdo ves tjetër, edhe ky, nuk është se zgjidh problemet që duhet të zgjidhë. E si të gjitha veset e tjera kërkon vullnet dhe kurajo për tu disintoksikuar”, deklaroi Philippe.
Sipas tij, për çdo 100 euro të mbledhura nga taksat gjermanët shpenzojnë 98 euro, ndërkohë që francezët shpenzojnë 115 euro nga çdo 117 euro që vijnë nga taksat.
Premtimi i kryeministrit francez, nën urdhrat e presidentit Macron për masa shtrënguese vjen në një kohë që thuajse të gjitha ekonomitë më të mëdha të botës po sinjalizojnë një lehtësim të politikave fiskale për ti dhënë një shtysë rritjes.
Franca duket se do të shkojë në kah të kundërt, dhe Macron i ka të gjitha mjetet, e sidomos mazhorancën dërrmuese të legjislativit për të çuar përpara reformat e tij.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.