Franca më e preferuar sesa Gjermania, pasi ‘paqartësia’ e luftës tregtare godet Europën!
Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ka ndryshuar mënyrën sesi ekonomistët e shikojnë Francën dhe Gjermaninë, dy nga ekonomitë më të mëdha të Europës. Ekonomia franceze tani është më elastike dhe më tërheqëse se Gjermania, thanë tre analistë për CNBC, në atë që shënon një ndryshim të qartë në mënyrën se si krahasohen të dy ekonomitë.
Ato janë dy nga ekonomitë më të mëdha në zonën e euros dhe që kur kriza e borxhit sovran u shfaq në vitin 2011, duke tronditur themelet e rajonit, Gjermania gjithnjë është parë si më elastike. Franca ka një borxh publik shumë më të lartë dhe ka qenë më e ekspozuar ndaj shqetësimeve financiare që po ndodhin në vende, siç është Italia. Sidoqoftë, situata është përmbysur mesa duket. Lufta e vazhdueshme tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ka filluar të zhvendosë pamjen ekonomike në Europë. Gjermania, ekonomia më e madhe europiane, në masë të madhe varet nga eksportet dhe sektori i saj i prodhimit, gjë që e bën atë më të ekspozuar ndaj dobësive në tregtinë globale. Pjesa e Gjermanisë në prodhimin në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) është pothuajse 25%, sipas të dhënave të fundit nga UBS. Në krahasim me Francën, ku prodhimi i brendshëm bruto përfaqëson më pak se 15% të PBB-së së tij.
“Tensionet e tregtisë globale në mënyrë të pashmangshme do të thotë që vendet në varësi të eksportit janë nën një presion më të madh sesa ekonomitë ku konsumi i brendshëm luan një rol më të madh. Kjo është arsyeja pse Gjermania po ndjen vërtet tensionin nga presidenti Trump dhe Kina, ndërsa Franca mund të jetë akoma në një vend disi më të sigurtë dhe të qetë “tha Carsten Nickel, drejtori i firmës kërkimore ‘Teneo’, për CNBC.
Në një raport të botuar të enjten, analistët e UBS-së gjithashtu kanë thënë se, “afatgjatë”, ata favorizojnë Francën ndaj Gjermanisë. Ata argumentuan se kjo ishte për shkak se demografia franceze është më miqësore me rritjen; investimet franceze dhe nivelet e rritjes janë mbi ato të Gjermanisë dhe se politikat afatgjata për reformat strukturore janë më thelbësore në Francë.
Të dhënat e publikuara në gusht treguan se ekonomia gjermane ishte tkurrur me 0.1% në tremujorin e dytë të këtij viti në krahasim me periudhën e mëparshme tremujore. Nga ana tjetër, Franca u rrit me 0.2% në të njëjtën periudhë. Parashikimet nga UBS tregojnë për një normë rritjeje prej 1.2% në Francë këtë vit dhe prej 1% në vitin 2020 – mbi mesataren e zonës së euros. Në krahasim, Gjermania pritet të rritet 0.5% këtë vit dhe 0.6% në vitin 2020. Sidoqoftë, do të jetë e rëndësishme të monitorohen tremujorët e ardhshëm.
Marrëdhënia midis Francës dhe Gjermanisë është thelbësore për të ardhmen e Europës. Ato janë dy nga ekonomitë më të mëdha europiane, dy nga anëtarët themelues të Bashkimit Evropian, partneriteti politik dhe ekonomik, i të cilave bashkon 28 kombe europiane, dhe shpesh ata përcaktojnë axhendën në nivelin e BE-së.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.