Franca, skeptike për fituesin – Gjysma e votuesve nuk beson te asnjë nga kandidatët
Një javë përpara raundit final të zgjedhjeve në Francë, votuesit janë skeptikë për të dy kandidatët, sa i përket aftësisë së tyre për zgjidhur problemet kryesore, si; papunësia kronike apo shqetësimet që lidhen me sigurinë, tregon një sondazh i fundit.
Po i njëjti sondazh, tregon se, Emmanuel Macron i qendrës së majtë, do të fitojë zgjedhjet me një rezultat nga 59-60%, duke mos i dhënë kështu asnjë shans Marine le Pen të ekstremit të djathtë. Gjithsesi, kjo e fundit ka fituar ndjeshëm terren, duke rritur përqindjen e saj me rreth 5% që prej raundit të parë të zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, 45% e votuesve janë të mendimit se, asnjë nga të dy kandidatët nuk do të zgjidhë dot problemin e papunësisë, normë e cila prej vitesh në Francë vërtitet pranë 10%. 36% e të anketuarve deklarojnë se, asnjë prej të dyve nuk do të zgjidhë dot problemin e sigurisë dhe terrorizmit.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, 22.2% e votuesve abstenuan, që është edhe norma më e lartë që prej vitit 2002, kur i ati i Marine le Pen, Jean Marie, kalonte në raundin e dytë, për t’u mundur më pas nga Jacques Chirac. Abstenimi shihet si një sinjal i keq për Macron, i cili mund të mos ja dalë dot të prodhojë një lëvizje mbarë kombëtare kundër Le Pen.
Politikat e tij të tregut të hapur, synojnë mbështetje në një kohë aspak të lehtë, kur ndjenjat anti-establishment janë rritur ndjeshëm në Europë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jean luc Melenchon, i cili në raundin e parë morri 19.6% të votave, i ka bërë thirrje mbështetësve të tij të kundërshtojnë Le Pen, por nga ana tjetër ai ka bërë thirrje edhe që të mos mbështesin Macron.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.