Francë, Republikanët braktisin Fillon – Mendojnë zëvendësimin me Alain Juppe

Për Francois Fillon duket se nuk do të ketë ditë të bardha. Pas bastisjes së shtëpisë së tij nga policia ditën e enjte, pozitat e tij brenda partisë republikane janë ndërlikuar së tepërmi.
Pavarësisht se është kandidati zyrtar i partisë për zgjedhjet presidenciale të pranverës, dhe pavarësisht se vetëm dy ditë më parë, ish-kryeministri deklaroi se, nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se do të vazhdojë garën, republikanët po mendojnë ta zëvendësojnë kandidaturën me Alain Juppe, ish-kryeministër gjithashtu.
Ky i fundit veç të tjerash gëzon një mbështetje të gjerë në elektorat. Rreth 60 politikanë të partisë së tij, nëpërmjet një letre të hapur deklaruan se do të tërhiqen nga fushata pasi nuk mund të mbeshtesin një kandidat i cili akuzohet për shpërdorim dhe përvetësim të fondeve publike.
Dorëheqja e një pjese të stafit të tij, dhe deklaratat e Alain Juppe, erdhën menjëherë pas publikimit të programit elektoral të Emmanuel Macron, i cili tashmë është pretendenti kryesor për të zënë vendin e Francois Hollande në krye të Champe Elysee si dhe pretendenti kryesor për të mundur Marine Le Pen.
Republikanët, të cilët vetëm dy muaj më parë ishin pretendentët kryesorë për të fituar zgjedhjet, tashmë janë të tretët në listë, për të mos thënë të katërtit.
Raundi i parë i zgjedhjeve zhvillohet më 23 prill, dhe kohë për të humbur nuk ka. Le Pen dhe Macron kanë dalë përpara elektoratit me një program të qartë dhe konkret, ndërkohë që republikanët përfaqësohen nga një kandidat i njollosur nga një mega skandal.
Këto janë ndoshta zgjedhjet më të pasigurta në historinë e Francës, dhe tregjet po e reflektojnë diçka të tillë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.