Francezët zgjedhin parlamentin – Partia e Macron pritet të fitojë mazhorancën dërrmuese
Francezët u janë drejtuar kutive të votimit në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, që pritet ti japin Presidentit Emmanuel Macron mazohrancën që i duhet për të ndërmarrë reformat ekonomike dhe sociale që ka premtuar.
Votimi për të zgjedhur 577 anëtarët vjen një muaj pasi Macron fitoi presidencën e ekonomisë së dytë më të madhe të Eurozonës.
Nëse Macron dhe partia e tij e re fitojnë shumicën qeverisëse në raundin e dytë gjatë javës së ardhshme, siç parashikojnë edhe sondazhet, partitë kryesore të vendit do të përballen me një disfatë tjetër, ndërkohë që nuk patën kandidatë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Sondazhet parashikojnë se “En Marche”, partia e themeluar nga Emmanuel Macron në vitin që kaloi, dhe aleatët e qendrës së djathtë, të fitojnë të paktën 30% të votave. Partia Republikane pritet të fitojë 20%, përpara Frontit Nacional me 17%.
Një rezultat i tillë do të bënte që partia e Macron të fitojë mazhorancën dërrmuese në raundin e dytë, tregojnë sondazhet.
Në një vend ku norma e papunësisë qëndron në 10% e që rrezikohet thyerja e angazhimeve mbi deficitin publik, Macron u zgjodh president me premtimet se do të reformojë rregullat e punës, ulë taksat korporative dhe investojë miliarda në fusha si trajnimi profesional dhe energjia e rinovueshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.