Frenohet rritja ekonomike në fund të 2017 – Tregtia dhe administrata ndikuan në rritjen e PBB me 3,36%
Rritja ekonomike në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas vlerësohet të jetë 3,36%. Kjo përbën një ngadalësim në dukje të rritjes së produktit të brendshëm bruto, pasi në muajt paraardhës kjo rritje ka qenë me e lartë duke variuar nga 3,55% deri në 4,06%.
Kontributin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë sektorët e “tregtisë, transporti, akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, si dhe ai i “administrimit publik, arsimit dhe shëndetësisë”. Të dy këto degë të ekonomisë kanë kontribuar me përkatësisht 0,66 dhe 0,64 pikë përqindje.
Megjithatë, kontribut pozitiv kanë dhënë pjesa më e madhe e degëve të ekonomisë, me përjashtim të bujqësisë, me një kontribut 0 dhe degës së informacionit dhe komunikacionit me një ndikim negativ me -0.23 pikë përqindje.
Në raport me vetveten, rritja e degës “aktivitetet financiare dhe të sigurimit” ka pasur rritjen më të madhe me 11.24%, duke reflektuar edhe njëherë ecurinë e mirë të sektorit bankar në vend.
Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka ndërkohë një rritje prej 21,99% në raport me tremujorin e fundit të 2016-ës, si meritë e rritjes së turizmit, por edhe investimeve të mundësuar nga ulja e TVSH-së në turizëm.
Ndërkohë, rënia më e madhe i takon sektorit të energjisë elektrike, i cili vuajti pasojat e një thatësirë që uli prodhimin e hidrocentraleve publike dhe private në vend.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.