Frenohet rritja ekonomike – Ra në 3.1% për tremujorin IV 2018
Ekonomia shqiptare u rrit me 4.06% gjatë vitit të kaluar, mbështetur kjo në vlerësimet e para të Institutit të Statistikave.
Në tremujorin e fundit të vitit 2018, rritja e prodhimit kombëtar u ngadalësua ndjeshëm në 3.1%, ndërsa për 9-mujorin e parë kishte qenë mesatarisht 4.35%. Ngadalësimi i rritjes ekonomike ishte i pritshëm, duke pasur parasysh se faktorët që e ndikuan në tremujorët e mëparshëm kishin pjesërisht natyrë të përkohshme ose sezonale.
Për gjysmën e parë të vitit rritja u mbështet sidomos nga prodhimi i lartë i energjisë elektrike, ndërsa për tremujorin e tretë gjeti një shtysë të fortë te sezoni i mbarë turistik. Për tremujorin e fundit të vitit të kaluar kontribut veçanërisht domethënës në rritje dha industria nxjerrëse, me afro 28%, ndërsa edhe industria përpunuese u rrit me ritme të kënaqshme, me rreth 5%.
Sipas komponentëve të kërkesës, ajo që vërehet është një rënie e ndjeshme e kontributit të investimeve në rritjen ekonomike. Për tremujorin e katërt, investimet u rritën me 1.87%, ndërsa ndjeshëm më i lartë ishte ndikimi i konsumit të popullatës.
Me gjithë frenimin e tremujorit të fundit, ekonomia shqiptare duket se arriti të ruajë një rritje pak sipër kufirit të 4% për vitin e kaluar. Por, për këtë vit, pasiguritë janë rritje, siç u theksua të enjten edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Projektet madhore të investimeve të huaja janë drejt mbylljes, ndërsa përmbysja e kushteve hidrike do ta minimizojë kontributin e sektorit energjetik.
Edhe sinjalet që vijnë nga eurozona janë të zymta, me efekte të kuptueshme negative në eksporte dhe në investimet e huaja. Për t’i keqësuar më shumë perspektivat në këtë vit delikat, është shtuar edhe tensioni politik. Nëse zgjat më tej, ky tension do të dëmtojë edhe ekonominë, duke transmetuar pasiguri te bizneset dhe individët, përfshi këtu turistët e huaj.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.