Frexit te bankat franceze – Rregullatorët dhe investitorët pyesin për parapërgatitjet

Rregullatorët dhe investitorët kanë kërkuar informacion nga huadhënësit francezë mbi parapërgatitjet për ndonjë trazire në tregje që mund të shkaktohet nëse Le Pen rezulton mirë në zgjedhjet presidenciale.
Liderja e Frontit Nacional ka thënë se do të zhvillojë referendum për daljen nga euro, do të financojë shpenzimet shtetërore nëpërmjet printimit nga Banka Qendrore dhe do të detyrojë bankat tregtare që të japin hua drejt firmave të vogla. Sondazhet tregojnë se ajo do të performojë mirë në votimin e datës 23 Prill dhe projektojnë që do të humbasë në raundin e dytë në Maj ndaj Emmanuel Macron.
Rregullatorët nuk po i përjashtojnë surprizat, duke marrë parasysh Brexit dhe zgjedhjet në SHBA. Ndërsa yieldet e titujve francez të borxhit u rritën ndjeshëm në muajin Shkurt, mbikëqyrësit e Bankës Qendrore Europiane po zhvillojnë teste për të siguruar se bankat janë të përgatitura për rreziqet e mundshme.
Burime nga huadhënësit thonë për “Reuters” se mund të ketë një tkurrje të shkurtër të likuiditeti në tregjet e parasë, megjithatë shtojnë se industria mund ta përballojë fare lehtë një luhatje të shkurtër.
Huadhënësit po paraqesin gjithashtu parapërgatitjet për investitorët e huaj. Sipas burimeve, investitorët kërkojnë të dinë nëse është e mundur ligjërisht që Franca të dalë prej euros dhe se çfarë veprimesh mund merren nëse ndodh ndonjë panik bankar (bank run).
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.