Frika për recesion mbështet dollarin – Bie ndjeshëm besimi konsumator në SHBA, investitorët preferojnë asete të sigurta

Dollari amerikan është rritur ndjeshëm gjatë sesionit të sotëm, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, dhe po qëndron pranë nivelit më të lartë në 2 dekadat e fundit, të regjistruar dy javë më parë. Investitorët kanë preferuar asetet e sigurta, ku bën pjesë edhe dollari amerikan, ndërkohë që tregjet e aksioneve kanë rënë ndjeshëm, për shkak të rritjes së rreziqeve për një recesion global.
Indeksi i dollarit amerikan, që mat ecurinë përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 104.5. Euro është ndër monedhat me performancën më të dobët, duke rënë edhe poshtë nivelit të 1.05 dollarëve. Rënia e besimit konsumator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar ngadalësimin e ekonomisë më të madhe në botë dhe ka rritur mundësitë për recesion, në një kohë që Rezerva Federale po shtrëngon politikat monetare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin.
Ndërkohë, në forumin vjetor të Bankës Qendrore Europiane, presidentja Christine Lagarde nuk ofroi ndonjë detaj mbi rrugën që do të ndjekë BQE me normat e interesit. Kjo bëri që euro të zhvlerësohet ndjeshëm përballë dollarit amerikan. Investitorët do të presin fjalimet që do të mbajnë ditën e sotme, shefja e BQE, Christine Lagarde, dhe kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell, në forum.
Analistët mendojnë se indeksi i dollarit amerikan do të luhatet në intervalin nga 101 deri në 105. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka rënë poshtë 20 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1100 dollarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.