Frymëmarrje për valutat e huaja – Euro rritet në 130 lekë. Forcohen paundi dhe dollari
Pas javësh të tëra që fiton terren ndaj valutave të huaja, monedha vendase leku është ndalur këtë fillim jave. Kjo u ka dhënë mundësi të gjitha valutave të rifitojnë disa pikë të humbura.
Kështu, euro është ngjitur me plot 1.7 pikë kundrejt nivelit të javës së kaluar, duke kapur kursin e 130 lekëve në shitje dhe 131.2 lekëve në blerje. Gjithsesi, valuta e përbashkët europiane është shumë larg niveleve të para fushatës kundër deeuroizimit të ekonomisë dhe pritet të rikthehet në trendin rënës gjatë ditëve në vijim.
Nga ndalesa e lekut ka përfituar edhe dollari amerikan, i cili është forcuar me 1 pikë ndaj monedhës vendase. Një dollar këmbehet sot për 105.2 lekë, megjithatë është në një kurs rënës prej fillimit të Marsit, duke shoqëruar euron gati në çdo hap. Situata për dollarin nuk është e thjeshtë as në tregjet botërorë, ku muaj pas muaji dobësohet kundrejt valutave si jeni japonez apo euro.
Luhatja më e madhe e së hënës i takon paundit britanik, i cili ka fituar 2 pikë në raport me lekun krahasuar me kursin e ditës së premte. Tashmë në nivelin e 149 lekëve, stërlina është thuajse në nivelet e saj të zakonshme. Sa i takon ecurisë së kësaj valute, gjithçka do të varet nga marrëveshja me Bashkimin Europian për daljen nga unioni, ku kryesore janë qëndrimi në tregun e përbashkët dhe përfitimi i marrëveshje tregtare me shtetet jashtë unionit si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndër valutat e tjera që këmbehen në tregun vendas, dollari australian u rrit me 1.1 pikë kundrejt nivelit të së premtes. Rritje ka patur edhe për dollarin kanadez me 1.3 pikë, si dhe për frangën zvicerane me 1 pikë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.