Frymëmarrje për valutat e huaja, leku dobësohet para dollarit dhe stërlinës. Euro fiksohet në 129 lekë
Tregu vendas i këmbimit valutor ka regjistruar ditën e premte një ndalesë në arratinë e lekut ndaj valutave kryesore të huaja. Kjo ka mundësuar një shans për rekuperim të humbjeve për dollarin amerikan dhe stërlinën, të cilët deri ditën e enjte kishin arritur në pika të ulëta rekord.
Dollari amerikan shtoi sot 0.6 pikë kundrejt lekut, duke arritur kështu në kuotën e 104.6 lekëve. Valuta e Shteteve të Bashkuara përfitoi nga një kurs favorizues edhe në tregjet ndërkombëtare, ku fitoi 0.5% ndaj jenit japonez brenda natës. Kjo ecuri pozitive është e lidhur me pritshmëritë e bursave për raportime të fitimeve të mëdha të korporatave amerikane.
Rritja më e madhe e ditës i takon paundit britanik, i cili ka fituar plot 1.5 pikë në raport me kursin e ditës së mëparshme. Stërlina arriti madje të kapë vlerën më të lartë në 9 muaj ndaj euros, e cila po vuan shqetësimet e politikëbërësve mbi impaktin që një luftë tregtare me SHBA mund të ketë ndaj fuqisë së euros.
Gjithsesi, ky dobësim i euros nuk është pasqyruar në tregun vendas, ku euro është prej javësh tashmë në pozita të vështira. Gjatë së premtes, vlera e euros qëndroi e pandryshuar, duke u mbajtur në nivelin e 129 lekëve në shitje dhe 129.8 lekëve në blerje.
Pa luhatje është regjistruar edhe vlera e frangës zvicerane, e fiksuar në 108.5 lekë. Kohët e fundit kjo valutë ka shfaqur një trend rënës të theksuar dhe është ndjeshëm larg nivelit të saj të para disa muajve. Ekspertët e kanë shpjeguar këtë dobësim me faktin se manjatët rusë të prekur nga sanksionet kanë nisur të shesin këtë valutë.
Ndërkohë, dollari australian dhe ai kanadez kanë shënuar rritje të madhe ndaj lekut, përkatësisht me 1 pikë dhe 0.7 pikë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.