“Fshehën të ardhurat dhe falsifikuan dokumentet”- Policia procedon administratorin e një firme dhe dy shoferët

Nis procedimi penal për tre shtetas për fshehje të të ardhurave dhe falsifikim të dokumenteve. Konkretisht, Policia e Vlorës nisi procedimin penal për administratorin e një firme dhe dy shoferët transportues.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në vijimësi të punës së tyre për vënien para përgjegjësisë ligjore shtetasit, të cilët kryejnë vepra penale në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, kanë proceduar penalisht tre shtetas për fshehje e të ardhurave dhe falsifikim të dokumenteve.
“Ndaj këtyre shtetasve ka filluar procedimi penal, pasi më datë 28.09.2017, janë konstatuar nga shërbimet e policisë në hyrje të fshatit Selenicë, ku edhe kryejnë aktivitetin e firmës së tyre si transportues të lëndës ranore në këtë fshat, duke transportuar lëndë ranore jo në masën e përcaktuar në faturat tatimore përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas Bluve të Vlorës shoferët e firmës janë konstatuar nga policia duke transportuar lëndën ranore bitiuminoze me dy automjete tip kamion, të cilat gjatë kontrollit të faturave shoqëruese tatimore kanë rezultuar të falsifikuara, pasi nga peshimi i automjeteve ka rezultuar se kishte një diferencë prej 10 dhe 17 ton.
Materialet janë referuar në Prokurori për veprën penale ”Fshehja e të ardhurave dhe Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 180 dhe 186 të Kodit Penal.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.