Fshirja e detyrimeve të prapambetura, Tatimet: Falen mbi 19.7 miliardë lekë, përfitojnë mbi 41 mijë tatimpagues

Pas javës së 12 të aksionit anti-informalitet, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve jep të dhënat për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, por edhe për procesin e fshirjes së detyrimeve me kusht.
Konkretisht, DPT njofton se ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku numri i subjekteve që kanë reaguar pozitivisht në 12 javët e aksionit anti-informalitet është 3410 dhe vlera e mbledhur është 2 miliard e 812 milionë lekë.
“Ka vijuar procesi i fshirjes së detyrimeve për periudhën përpara vitit 2010 dhe kompensimi me kredi, si për periudhën përpara vitit 2010 dhe për periudhën 2011-2014. Gjithashtu ka vijuar procesi i fshirjes së detyrimeve me kusht për periudhën 2011-2014 për ata tatimpagues që kanë paguar principalin. Mbi 41 264 tatimpagues kanë përfituar, ndërkohë si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur është 19 753 miliardë lekë dhe përdorimi i kredisë për shlyerje të detyrimeve në nivel prinipali është në vlerën e 2.847 miliardë lekë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas DPT 30 Dhjetori është afati i fundit ku bizneset përfitojnë fshirje të plotë apo të pjesshme të detyrimeve që i kanë administratës tatimore nga implementimi i ligjit të faljes.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.