Fundi i Merkel, pozitiv për euron – Valuta mund të prekë $1.32 nëse Merz bëhet kryetar i CDU

Banka amerikane Morgan Stanley ka dhënë projeksione optimiste për euron, nga largimi i kancelares gjermane Angela Merkel.
Sipas analistëve të bankës, valuta e përbashkët europiane mund të arrijë në 1.32 dollarë, duke marrë gjithashtu nxitje nëse Friedrich Merz bëhet kryetar i Unionit Krisitian Demokrat.
Merz pritet të favoriziojë integrimin e Eurozonës, gjë që do të nxisë valutën e përbashkët.
Në një publikim në Handelsblatt muajin e kaluar, Merz mbështeti skemën e sigurimit të papunësisë dhe politikat buxhetore për Eurozonën, që i shërbejnë kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë zonës së valutës.
Ai bëri gjithashtu thirrje për më shumë bashkëpunim mes Gjermanisë dhe presidentit francez Emmanuesl Macron, për të fuqizuar unionin monetar të Europës.
Morgan Stanley parashikon se euro do të rritet në 1.32 dollarë deri në fund të vitit 2019, një nivel që nuk është parë që prej Gushtit 2014. Parashikimi i bankës është më optimisti, ndërkohë që sondazhet e Reuters tregojnë se euro pritet të arrijë në 1.22 dollarë vitin e ardhshëm.
Nëse Gjermania adapton një qëndrim të përafruar me atë të Macron, kjo mund të sjellë një rimëkëmbje për valutën që ka mbetur pas në muajt e fundit prej shqetësimeve mbi rritjen ekonomike dhe buxhetit italian.
Merkel lajmëroi javën e kaluar se do të japë dorëheqjen si kryetare e CDU dhe nuk do të kandidojë më si kancelare në vitin 2021. Kandidatët që do të zënë postin do të garojnë në konventën e partisë në muajin Dhjetor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.