Funksionimi i përbashkët i njerëzve dhe teknologjisë! Bashkëpunimi që përsos kujdesin shëndetësor

Pacientët përfitojnë në momentin kur teknologjia dhe njerëzit punojnë së bashku, pasi produkti përfundimtar i shërbimit të tyre ka të ngjarë të ketë rezultate vetëm pozitive. Kjo ide mund të përforcohet edhe më tepër, sidomos me përsosjen e inteligjencës artificiale. Gjëja më e përkryer në këtë mes, është mënyra për të bashkuar teknologjinë më të fundit, me eksperiencën e njeriut, në një fushë delikate, siç është mjekësia. Kompania “Philips“ ka zhvilluar teknologjinë “Illumeo” që, nëpërmjet inteligjencës artificiale, mund të kryejë shërbime, që, nëse do të kryheshin nga persona, do të kërkonin një periudhë të gjatë kohore. Këto shërbime – të cilat bëjnë bashkë të dhënat klinike dhe imazhet, duke ua ofruar më pas mjekëve për t’i interpretuar – zgjasin procesin e diagnostikimit, duke rritur kështu edhe kostot e kujdesit shëndetësor, si dhe duke shtuar rrezikun e gabimeve. “Illumeo“ thjeshtëzon interesin e kompanisë, në zhvillimin e teknologjisë, që ka për qëllim të ndihmojë mjekët dhe stafin e tyre, për të ofruar kujdes shëndetësor me më pak kosto dhe me më shumë efektshmëri.
Zhvillimi i inovacionit
Më shumë se një dekadë më parë, ky mendim e udhëhoqi kompaninë për të zhvilluar programin “SmartExam”, i cili ndihmon në planifikimin e rezonancës magnetike, bazuar në anatominë e pacientit, të cilën e njeh në mënyrë automatike. Me të mund të planifikohet rezonancë e trurit, gjoksit, shtyllës kurrizore, shpatullave dhe gjunjëve. Ky mjet mbështet njerëzit që merren me teknologjinë, për t’i bërë skanimet dhe rezonancat, më produktive dhe më të efektshme. Me “SmartExam” janë bërë shkurtime të kohës së ekzaminimeve, të cilat ulin kostot dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientit. Nëpërmjet përpjekjeve të fundit të kompanisë “Philips, me prodhimin e saj, “Illumeo” janë bërë lehtësime për radiologët, stafin e tyre dhe mjekët, me informacionin që duhet, e në momentin kur u duhet atyre. “Illumeo” ofron informacion nga burime të ndryshme, për të dhënë një këndvështrim më të gjerë të pacientit, edhe përpara paraqitjes së rastit, i bazuar në kuptimin e thellë të kontekstit të pacientit. Ky këndvështrim lehtëson dhënien e një diagnoze më të saktë dhe mund të rrisë vlerën bazë të kujdesit. Njëlloj siç një infermiere në sallë operacioni, e di për përdorimin e instrumentit të radhës në një ndërhyrje kirurgjikale, “Illumeo” mund të paraqesë të gjitha mjetet që ka nevojë radiologu, për të krahasuar dhe analizuar imazhet e mëparshme dhe ato aktuale. Në mënyrë të ngjashme, “PerformanceBrigde” ndihmon kryeradiologun, me të dhëna analitike, për përmirësim të vazhdueshëm të ecurisë, me synimin për efektshmëri më të mirë operacionale. “PerformanceBridge” është një sistem kontrolli dhe komandash, që ofron përmirësim të vazhdueshëm, pasi informon dhe udhëheq strategjinë e departamentit. Të dhënat analitike, të siguruara nga profesionistët e “Philips” bashkohen me të dhënat e çmuara të sistemeve të ndryshme, në mënyrë që të ndihmojnë radiologët, për të nxjerrë më të mirën nga pacienti. Nga ana tjetër ofrojnë të dhëna në kohë reale, të ilustruara me grafikë, si dhe njoftime rreth mënyrës së ndryshme që po përdoren makineritë. Vlera e “PerformanceBridge” u vu re së pari, kur kompania “Philips” vlerësoi dy vendqëndrime ambulatore në rrjetin e kujdesit shëndetësor “Einstein“, në Pensilvani. Të dy u vlerësuan për përfitimin ekonomik që mund të vinte nga instalimi i një skaneri të ri për rezonancë magnetike. Kompania “Philips”, duke u nisur nga fakti se në të dy këto vende ofrohej shërbimi i radiografisë, ultratingullit, skanerit dhe mamografisë, analizoi disa modele referimi për këto mënyra si dhe rimbursoi informacionin rreth pacientëve, duke zbuluar subjektet që mund t’i nënshtroheshin rezonancës magnetike. Ky ishte një vlerësim shumë interesant nga perspektiva e biznesit, pasi informacioni ishte përtej asaj çka ishte llogaritur, për të vendosur rezonancën magnetike.
Elementi kryesor
Në momentin kur automatizimi përmirëson ecurinë e stafit dhe të mjekëve, përfitimi është i përgjithshëm, sidomos te pacientët. Elementi kryesor në këtë mes janë njerëzit. Pavarësisht zgjidhjeve të veçanta, qëllimi kryesor është i njëjti: përmirësimi i efektshmërisë së ekipit të mjekëve, të besimit të diagnozës dhe ofrimit të kujdesit më të mirë shëndetësor. Të trija këto pika janë të varura te mbështetja e njerëzve, në imazheri. Kjo ka qenë edhe ajo çka ka dashur të ofrojë kompania, bashkë me shumë kompani të tjera të mëdha, të cilat e kanë parë fushën e teknologjisë në mjekësi, si një horizont me potenciale shumë të mëdha, si ekonomike, por edhe nga ana e kujdesit për përmirësimin e jetës së njerëzve. Nga ana tjetër, kompania “Sectra” ka fituar të drejtën e kontraktimit për të mbikëqyrur dozat e radioaktivitetit në proceset mjekësore. Ajo do të instalojë një program monitorimi të dozës radioaktive, “Setra Dose Track”, të bazuar në teknologjinë “cloud”. Ky program do të bëjë të mundur rritjen e sigurisë së jetës së pacientit, duke identifikuar dozën e ekspozimit radioaktiv të pacientëve; do të sigurojë rakordimin me kërkesat rregullatore, si dhe do të standardizojë, të gjitha të dhënat e dozave radioaktive, nëpërmjet kësaj sipërmarrjeje. Marrëveshja disavjeçare do të përfshijë shërbime të mbikëqyrjes së shërbimeve për dozat radioaktive, për 16 spitale të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe 17 qendrave të imazherisë në rrjetin e kujdesit shëndetësor. “Setra Dose Track” mbledh dhe raporton të dhënat e dozave të radioaktivitetit, nga të gjitha burimet, brenda departamentit të imazherisë. Aftësitë e mprehta analitike, për optimizimin e dozave radioaktive ndihmojnë në identifikimin e veprimeve të nevojshme, siç mund të jetë ndryshimi i mënyrave për procedura specifike, në raste të veçanta, trajnim të stafit mjekësor, apo edhe rishikime të protokolleve imazherike. Marrja parasysh e numrit të pacientëve, si dhe shpërndarja demografike e tyre bëjnë të mundur një llogaritje efektive të dozës së radioaktivitetit, si dhe të drejtimit të rrezikut të pacientit. Kujdesi shëndetësor është duke ecur drejt shndërrimit të tij digjital. Teknologjia e re, siç janë pajisjet që vishen në trup, telemjekësia, nanoteknologjia, e shumë të tjera janë duke ndërtuar rrugën e tyre drejt spitaleve, klinikave dhe shtëpive. Kjo bëhet me qëllim për të përmirësuar të gjitha rrugët e kujdesit shëndetësor, në mënyrë që të ulen kohët e qëndrimeve në spitale, si dhe të përmirësohet shërbimi dhe cilësia e jetës së pacientëve.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.